Mançester Junajtid mban pas krahëve një traditë të jashtëzakonshme, me emra legjendarë që kanë mbetur të shkruar në historinë e futbollit botëror. Por suksesi i shumë prej këtyre emrave vjen nga fakti se kanë dalë nga akademia e “djajve të kuq” e cila pa frikë mund të cilësohet si më e mira në botë.
Për ta besuar një gjë të tillë, mjafton të shohësh statistikën se në radhët e ekipit të parë, për 3623 ndeshje radhazi, që nga viti 1937, ka pasur një futbollist që ka dalë nga akademia e klubit.
Bëhet fjalë për lojtarë që kanë shkëlqyer në kohën e të famshmit Basbi, për të vazhduar me emra si Best, Çarlton, Eduards, Bërn, Stails, Violet, e deri në emrat legjendarë që i kanë qëndruar besnik këtij klubi gjatë të gjithë karrierës së tyre si Nevill, Skols e Gigs.
Statistika ishte shumë më e pabesueshme deri me 1 maj të vitit 2011, kur Mançester Junajtid luajti kundër Arsenalit. Në atë ndeshje, Xhon O’Shi ishte në stolin e rezervave, duke prishur serinë prej 3516 ndeshjesh radhazi ku një lojtar nga akademia figuronte në formacionin titullar.
Kjo statistikë e jashtëzakonshme është zbuluar nga dy historianë sportiv që kanë bërë librin “Bijtë e Junajtid”, Toni Park dhe Stiv Hobin. Ata kanë zbuluar se ndeshja e fundit kur në radhët e Junajtid nuk kishte një lojtar të akademisë ishte me 23 tetor të vitit 1937, kur Mançester Junajtid fitoi ndaj Shefild Uednsdi. Që nga ajo ditë “Bijtë e Junajtid” kanë ndihmuar klubin në këto 36 vite të fitojë 3 Liga Kampionesh, 17 tituj të Kategorisë së Parë/Premier Ligës, 10 Kupa FA, 4 Kupa Lige, 1 Kupë Kupash, 1 Kupë Interkontinentale dhe 1 Botëror Klubesh. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 February 2013 18:32