Xhemi Karrager ka vendosur t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur dhe karrierës së tij të shkëlqyer me Liverpulin në fund të këtij sezoni. Ish-mbrojtësi i kombëtares angleze, i cili ka luajtur 723 ndeshje me Liverpulin që nga debutimi i tij me këtë skuadër në janarin e vitit 1997, i dha fund të gjitha spekulimeve për të ardhmen nëpërmjet një deklarate të bërë në faqen e internetit të klubit.
“Ky do të jetë sezoni im i fundit te Liverpuli dhe i fundit si një futbollist profesionist. Po e bëj këtë deklaratë tani, pasi nuk dua që trajneri apo klubi të përgjigjen për pyetje rreth të ardhmes time në një kohë kur unë e kam vendosur se çfarë do të bëj”, tha 35 vjeçari.
“Unë do të jem i përkushtuar maksimalisht që nga ky moment deri në fund të sezonit për të bërë më të mirën për Liverpulin, ashtu siç kam bërë gjatë të gjithë karrierës time, që kur fillova futbollin në moshën 9 vjeçare. Ka qenë një privilegj dhe një nder që kam përfaqësuar këtë klub për një periudhë kaq të gjatë”, ishin fjalët e futbollistit.
Meqenëse mbrojtësi është një nga figurat më të dashura të tifozëve të Liverpulit gjatë këtyre viteve, shumë ish-lojtarë të kësaj skuadre si Majkëll Ouen, Robi Fouler e Ditmar Haman i kanë thurur atij elozhe nëpërmjet rrjeteve sociale. Ndërsa shumë lojtarë të tjerë i kanë kërkuar Liverpulit që të tërheqë fanellën me numrin 23 në fund të këtij sezoni në shenjë nderimi. (LajmeShqip.com)
Thursday, 07 February 2013 17:46