Ndeshja më e bukur e të së mërkurës ka qenë padyshim ajo mes Francës dhe Gjermanisë, që kanë dhuruar spektakël në “Stade De France” përpara 75 mijë spektatorëve, si të ishte një ndeshje zyrtare dhe jo thjesht një miqësore.
Që në fillim ka dominuar Gjermania që krijon raste me anë Ozil e Mertesaker, duke gjetur reagimin e mirë të portierit Loris. Nga ana tjetër, gjithë loja e Francës bazohet te Riberi që krijon rrezikshmëri sa herë bie në kontakt me topin. Pavarësisht lojës së bukur dhe rasteve, për të parë një gol duhet pritur minuta e 44-t, kur një gjuajtje e Benzema përplaset në traversë dhe është Valbuena që dërgon pastaj topin në rrjetë për të kaluar në avantazh Francën.
Por avantazhi francez zgjat vetëm pak minuta, pasi në fillimin e pjesës së dytë, Tomas Myler përfiton nga një pasim i Gundogan për të mposhtur Loris me një lëvizje spektakolare që bëri të ngrihej në këmbë edhe kancelaria Merkel, e cila nuk mund të mungonte në stadium për një sfidë të tillë, këtë radhë e shoqëruar nga presidenti francez Hollande.
Futbolli spektakolar nga të dy skuadrat ka vazhduar në fushën e lojës, por momenti që vendosi ndeshjen ishte ai i minutës së 74-t kur Ozil jep një pasim të jashtëzakonshëm për Khedirën që nuk mund të gabojë dhe shënon golin e fitores për kombëtaren gjermane, e cila theu njëkohësisht edhe tabunë 26 vjeçare të ndeshjeve pa fitore përballë Francës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 February 2013 23:20