Trajneri i Brazilit, Luiz Felipe Skolari, ka pranuar se vazhdon të jetë pishman për faktin se ka refuzuar detyrën e trajnerit të Anglisë në vitin 2006, kur iu dha kjo mundësi e artë në karrierën e tij. Tekniku që në atë kohë drejtonte Portugalinë, u kontaktua nga Federata Angleze për të zëvendësuar Sven Goran Erikson pas përfundimit të Botërorit 2006.
Megjithëse FA i vuri atij para një kontratë afatgjatë, Skolari vendosi të refuzonte, duke cituar shtypin anglez dhe natyrën shumë gërmuese të tij si arsyen kryesore. Por ai ka pranuar dje se një vendim i tillë ishte i dhimbshëm, edhe për faktin se nuk dëshironte të prishte kontratën që kishte me Portugalinë, skuadër e cila eliminoi Anglinë gjatë turneut që u zhvillua në Gjermani.
“Sigurisht që më dhemb ende kur e kujtoj. Dhemb shumë pasi do të kisha dashur të isha trajneri i përfaqësueses angleze. Kush nuk do ta donte një gjë të tillë? Kur unë u ftova të bëhesha trajner i Anglisë, kur u ulëm për bisedime në atë periudhë, unë kisha ende një kontratë me Portugalinë. Nuk dëshiroja ta prishja atë kontratë, pasi ishte detyra ime ta respektoja atë. Imagjinoni se çfarë do të kishte ndodhur nëse në vitin 2006 ne të kishim luajtur kundër njëri-tjetrit ndërsa unë kisha një marrëveshje me Anglinë”, tregoi trajneri brazilian. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 February 2013 13:08