Trajneri i Juventusit, Antonio Konte, ka kërkuar falje për shpërthimin e tij para mediave pas barazimit 1-1 në ndeshjen kundër Xhenoas, që i solli atij një pezullim prej dy ndeshjesh pasi kritikoi pa të drejtë gjyqtarët. Konte pretendonte se gjyqtari Marko Guida kishte vepruar në mënyrë të padrejtë kur nuk akordoi një penallti në favor të skuadrës së tij në shtesën e takimit, kur Andreas Grankvist preku topin me dorë në zonën e tij.
Por trajneri i Juventusit ka kërkuar më pas falje përpara gjyqtarëve, në një takim të zhvilluar të hënën në Milano, pasi u bind edhe nga dizenjatori i gjyqtarëve, Stefano Braski, se vendimi kishte qenë ai i duhuri.
“Ishte një situatë e komplikuar”, shpjegoi Braski, njëkohësisht edhe president i Shoqatës së Gjyqtarëve Italianë. “Folëm rreth kësaj teme dhe thuajse të gjithë thanë se prekja e topit me dorë ishte e pavullnetshme. Thuajse të gjithë janë dakord se Grankvist e shkelmoi topin në krahun e tij. Gjyqtari Guida përshkroi gjithçka në detaj dhe vendimi i tij për të mos dhënë penallti ishte ai i duhuri”.
“Konte e kuptoi që e ka tepruar pak me protestat, për edhe se në situata të tilla merret në konsideratë nëse prekja e topit me dorë është e vullnetshme apo jo”.
Episodi në fjalë solli acarim te Juventusi pas ndeshjes, ndërsa përveç trajnerit Konte, u dhanë pezullime edhe për lojtarët Bonuçi, Kielini, Vuçiniç dhe drejtorin sportiv Marota, për protesta apo fyerje të gjyqtarit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 05 February 2013 09:27