Karlo Ançeloti ka treguar se detyra e tij në pankinën e PSZH është më e vështirë se e shumë trajnerëve të tjerë. Me sa duket, opinionet e trajnerit italian nuk merren shumë në konsideratë, ndërsa ka pranuar se detyra e tij është vetëm të marrë maksimumin me lojtarët që i vënë në dispozicion drejtuesit e ekipit.
“Kjo nuk është skuadra ime. Ashtu siç e kam thënë te Çelsi, kjo është skuadra e pronarit. Mendoja se do të ishte më e lehtë, por pas një viti këtu, mund të them se nuk është edhe aq e lehtë, se kampionati është i vështirë. Këtu ka lojtarë të mirë dhe skuadra të mira, por për shkak se kemi shpenzuar shumë para, ne duhet të fitojmë. Kur drejton një klub të tillë, duhet të fitosh. Vitin e kaluar, mendoj se gjëja më e rëndësishme ishte të shkonim në Ligën e Kampioneve, por këtë vit duhet të fitojmë kampionatin”, pranoi ai.
“PSZH do të bëhet si Mançester Junajtid, si një skuadër elite në Evropë. Nuk e di se kur, por jam i sigurt se do të ndodhë. Ne duam që ta bëjmë një gjë të tillë sa më parë të jetë e mundur, por nuk është e lehtë të ndërtosh një skuadër duke blerë lojtarë. Ti i blen ato, por pastaj duhet t’i vësh të luajnë bashke dhe kjo punë kërkon kohë”, tha Ançeloti, i cili është shumë optimist për të ardhmen e PSZH.
“Gjithçka është e hapur për ne, pasi kemi Ligën e Kampioneve, jemi në vend të parë në kampionat dhe jemi në Kupën e Francës. Kur fola me lojtarët, i thashë se brenda 4 muajve ne mund të shkruajmë historinë e klubit që ka 18 vite pa fituar kampionatin. Por autoritetet drejtuese të futbollit francez nuk besojnë në forcat tona. Ndeshja e fundit e kampionatit është e planifikuar një ditë pas finales së Ligës së Kampioneve. Ata janë të sigurt se ne nuk do të arrijmë në finale”, u shpreh me humor Ançeloti ndaj skepticizmit që ka rrethuar skuadrën e tij gjatë këtij viti pune në drejtimin e parisienëve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 February 2013 10:16