Ish-portieri i Gjermanisë dhe Bajern Mynih, Oliver Kahn, është skeptik mbi influencën që mund të ketë Pep Guardiola, në lojën e skuadrës bavareze. Trajneri spanjoll njihet për aftësitë e tij për të ndërthurur lojtarët e rinj në lojën e ekipit, të bazuar kryesisht mbi mbajtjen e topit dhe pasimeve të shumta.
Por Kahn mendon se ai nuk do ta ketë të lehtë sapo të marrë drejtimin e ekipit bavarez në fillimin e sezonit të ardhshëm.
“Guardiola mori lojtarë nga ekipi i të rinjve duke i kthyer në profesionistë, por lojtarët e Bajernit nuk duhet të kenë të njëjtin nivel automatizmi si ata të Barcelonës”, tha Kahn për “Bild”.
“Përshtatja me sistemin e tij nuk do të ndodhë brenda ditës. Në kundërshtim nga përdorimi individual i topit që përdorte Luis Van Gal, sistemi i Guardiolës është më fleksibël, me mbajtjen e topit që është thelbësore për lojën”.
“Çdokush që nuk do të arrijë të përshtatet në këtë lëvizje kolektive, do ta ketë të vështirë të mbijetojë në këtë sistem. Për shembull, pjesë e suksesit të tij qëndronte te përdorimi i Lionel Mesit si një “9 false”, por do të jetë interesante të shohim nëse Bajern mund të luajë në një mënyrë të tillë”.
“Guardiola dhe drejtori sportiv, Matias Samer, duhet të zhvillojnë dhe implementojnë një filozofi të qëndrueshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të kthehen në një faktor në betejën për t’u bërë klubi më i mirë në Evropë”, ishte opinioni i Kahn, një prej atyre që mendojnë se Bajern Mynih nuk kishte nevojë për Guardiolën që të vazhdonte përmirësimin dhe paraqitjet dinjitoze në arenën ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 February 2013 10:07