Xhulian Rrudho, ish-futbollisti i kombëtares U-21 të Shqipërisë, është arrestuar sot nga policia italiane pasi është arrestuar në flagrancë ndërsa shpërndante kokainë bashkë me një tjetër shtetas shqiptar.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, ish-futbollistit i cili në të kaluarën ka milituar edhe në disa skuadra të njohura në Itali si Kievo Verona e Ankona, ndiqej prej kohësh nga policia italiane.
Bashkë me shqiptarin tjetër, Mimet Zeqiri, Rrudho fshihte drogën nën tokë në parkun e Posatora. Atje shkonin dhe e merrnin rregullisht për ta shitur pastaj në një nga sheshet e qytetit të Ankonës, ndërsa për të lëvizur përdornin vetëm mjetet publike.
Policia i ka ndalur pikërisht në një autobus, pasi i ka ndjekur të dy shqiptarët. Sapo janë ulur nga autobusi, Rrudho dhe Zeqiri janë ndalur nga policia e cila i ka gjetur atyre në xhepa 150 gram kokainë të pastër.
Pas kontrollit në banesën e tyre, janë zbuluar edhe mjetet për paketimin e drogës, që kanë vërtetuar se ish-futbollisti i kombëtares U-21 tashmë ishte kthyer në një shpërndarës të mirëfilltë droge.
25 vjeçari gjendet në burg, ku pritet t’i përgjigjet pyetjeve të hetuesve, ndërsa rrezikon një periudhë të gjatë pas hekurave. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 February 2013 18:51