Nikolas Anelka është lojtari më i ri i Juventusit, pasi klubi bardhezi ka lajmëruar se ka mbërritur edhe kartoni i transferimit të tij nga radhët e klubit kinez të Shangai Shenhua. Ndaj francezi është shfaqur para mediave duke bërë të qartë se cilat janë objektivat e tij personal dhe arsyen se pse vendosi t’i bashkohej kampionëve të Italisë.
“Jam këtu për të ndihmuar skuadrën të rifitojë titullin kampion. Nuk dua t’i rrëmbej vendin askujt por t’i jap një ndihmë shokëve të mi të rinj”, tha sulmuesi në intervistën e tij të parë zyrtare si lojtar i Juventusit.
Me sa duket, Anelka kërkon të jetë përsëri protagonist në Ligën e Kampioneve dhe sipas tij, Juventusi është mes skuadrave që mund ta fitojnë këtë turne.
“Juventusi ka lojtarët, mentalitetin dhe cilësitë fizike për të provuar të fitojë. Liga e Kampioneve është një turne i vështirë dhe kur fillohet nuk i dihet kurrë nëse do të arrish ta fitosh. Por duhet ta provosh gjithmonë dhe ne do të bëjmë maksimumin për t’ia dalë mbanë”, tha Anelka.
Sulmuesi ka treguar se te Juventusi është ambientuar menjëherë, pasi në këtë klub para tij kanë kaluar shumë kampionë të mëdhenj francezë.
“Më kanë folur dhe më kanë thënë se është një klub i madh, por edhe në familje. Kam pasur menjëherë këtë ndjesi, të gjithë më pritën mirë në dhomat e zhveshjeve, jam ndjerë si në shtëpi. kam ardhur në një klub të madh me kampionë të mëdhenj, jam krenar që vesh këtë fanellë”, tha Anelka. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 February 2013 20:04