Anzhi Makhashkala vazhdon serinë e blerjeve të bujshme, duke afruar një tjetër lojtar cilësor për të përforcuar skuadrën e drejtuar nga Gus Hidink. Klubi i pasur rus, pasi ka dështuar në blerjen e Rikardo Kaka nga Real Madrid, pasi braziliani nuk pranonte transferimin në Rusi, ka siguruar shërbimet e një bashkëkombësi të tij, mesfushorit Uillian.
Futbollisti brazilian kërkohej nga klubet më në zë të Evropës, me Shakhtar Donetsk që kishte refuzuar oferta edhe prej 20-25 milion eurosh nga skuadra si Totenhem e Çelsi. Por oferta e Anzhi ka qenë e parefuzueshme, 35 milionë euro, ndërsa edhe vetë futbollisti duket se do të jetë i kënaqur me një rrogë të dyfishuar në krahasim me atë që përfitonte në Ukrainë.
Dëshira e lojtarit duket se ka qenë ajo që ka bërë diferencën për transferimin, ndonëse Shakhtar Donetsk luan në Ligën e Kampioneve dhe Anzhi në Europa Legaue, siç e ka pranuar edhe trajneri i ukrainasve, Mirçea Luçesku.
“U mundova ta bind të qëndronte, por ai vendosi të largohej e nuk e mbajmë dot me forcë. Gjithsesi, mund të luajmë ende mirë në mesfushë me Fernandinjo, Aleks Teikseira, Daglas Kosta e Luiz Adriano. Shakhtar Donetsk nuk është një lojtar i vetëm”, tha ai pas largimit të mesfushorit. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 February 2013 09:46