Luis Suarez duket se nuk ka ndër mend të largohet nga Liverpuli, pavarësisht zërave që e shohin të transferohet te Bajern Mynih, pas interesimit ndaj tij të Pep Guardiolës. Lojtari i cili shënoi golin e tij të 22-të sezonal në ndeshjen e përfunduar 2-2 ndaj Arsenalit një natë më parë, ka bërë të qartë se dëshiron të luajë për një kohë të gjatë te ekipi anglez, të cilit iu bashkua dy vjet më parë.
“Shpresoj të qëndroj te Liverpuli për një kohë të gjatë, pasi është një klub i madh për të cilin fëmijët ëndërrojnë të luajnë. Kam qenë shumë krenar që isha në një klub si Liverpuli dhe kam marrë vendimin për të ardhur këtu”, tha lojtari që shpërtheu në radhët e Ajaksit para se të kalonte te ekipi anglez.
“Në dy vite unë kam përjetuar disa momente spektakolare dhe shumë të veçanta që nuk do t’i harroj kurrë. Sigurisht, ka pasur edhe kohë të vështira, por me mbështetjen e familjes, klubit dhe tifozëve, gjërat kanë ecur si duhej për mua”.
“Unë këtu ndjehem në shtëpi. Kur dal në rrugë ndjej mbështetjen e njerëzve dhe ngrohtësinë e tyre dhe kur vij në klub, më duket sikur njerëzit më kanë njohur gjatë të gjithë jetës së tyre”, tha uruguaiani. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 January 2013 18:20