Devid Bekam i është bashkuar sot PSZH, skuadër me të cilën ka nënshkruar një kontratë deri në fundin këtij sezoni, duke bërë një kthim të bujshëm në futbollin evropian. Futbollisti anglez, kontrata e të cilit me LA Galaksi në MSL kishte përfunduar në nëntor, tashmë do të jetë pjesë e skuadrës parisiene për t’iu bashkuar yjeve të tjerë si Ibrahimoviç, Laveci e Pastore.
Lojtari po stërvitej gjatë këtyre ditëve me Arsenalin për të qëndruar në formë, por sot në mëngjes është nisur nga Londra drejt Parisit për të firmosur kontratën që e lidh me PSZH, pas ndërmjetësimit të brazilianit Leonardo që e njeh mirë që nga periudha kur gjendej te Milani, ashtu si trajneri Ançeloti. Ky i fundit kishte deklaruar në nëntor se një futbollist i tillë nuk i interesonte, por që duket se ka ndryshuar mendje.
Për lojtarin interesoheshin shumë klube të ndryshme në Kinë, SHBA apo edhe Angli, të cilat bënë oferta të ndryshme për 37 vjeçarin. Por ai duket se dëshironte të luante në Ligën e Kampioneve dhe për këtë arsye ka refuzuar ofertat e klubeve të tjera për të pranuar menjëherë atë të PSZH. Anglezit i kishte ardhur një ftesë interesante nga francezët pikërisht nëpërmjet yllit të kësaj skuadre, Zlatan Ibrahimoviç, që në nëntor.
“Mendoj se do të ketë shumë oferta për të nga klube në të gjithë botën, por këtu në Paris është një projekt mjaft interesant dhe nëse ai dëshiron trofe të tjera, ky është klubi i duhur”, ishte ftesa e Ibrahimoviç, që Bekam me sa duket e ka pranuar menjëherë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 January 2013 13:50