Ksavi Hernandez ka bërë të qartë se mendon që barazimi ndaj Real Madrid nuk është rezultati që meritonte Barcelona në këtë sfidë, edhe pse mund të cilësohet i mirë duke parë se ndeshja e përfunduar 1-1 luhej në fushën e kundërshtare.
“Reali jeton falë herëve kur ne humbim topin. Ishim më të mirët në fushë por falëm shumë. Kjo është një ndjesi e çuditshme dhe e rrallë pas kësaj ndeshje. E vetmja gjë që na mbetet peng është se nuk mbyllim ndeshjet, pasi të shënonim më shumë gola ishte thelbësore”.
Mesfushori i katalanasve është ankuar edhe për gjykimin e kësaj ndeshje, pasi mendon se arbitri ka mbajtur në favor të Real Madrid për episode të veçanta.
“Goli i barazimit erdhi nga një goditje këndi që nuk ekzistonte dhe Kristiano Ronaldo bëri një faull për të cilin normalisht jepet karton i verdhë”, tha ai duke iu referuar episodit për të cilin protestoi shumë gjatë te gjyqtari i ndeshjes.
“Ndeshja e kthimit do të jetë e njëjtë, me Barçën që dominon në fushën e lojës. Por duam që të përmirësohemi, edhe pse mbetet gjithçka e hapur. Barazimi është një rezultat i mirë, por Barcelona ka merituar më shumë nga kjo sfidë”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 January 2013 11:34