Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka konfirmuar se Barcelona nuk dëshiron të shesë sulmuesin David Vija, pavarësisht interesimit të ekipit londinez ndaj tij. Dy klubet kanë filluar bisedimet zyrtare të hënën rreth rekordmenit të golave me përfaqësuesen e Spanjës, por tekniku francez ka pranuar se ka marrë vetëm përgjigje negative nga pala katalanase.
“Barcelona nuk dëshiron të shesë David Vijan. Ata e kanë bërë shumë të qartë një gjë të tillë”, tha sot Venger para gazetarëve. I pyetur nëse ekzistonte ende mundësia për rifillimin e negociatave, tekniku francez ishte shumë i prerë në përgjigje. “Jo”, ishte komenti i vetëm i tij rreth kësaj teme, duke mbyllur përfundimisht kapitullin për transferimin e sulmuesit spanjoll.
“Ajo që është e rëndësishme, është të blejmë lojtarë që mund të përforcojnë skuadrën. Në të kundërt nuk do të bëjmë asgjë. Ne kemi një numër të mjaftueshëm lojtarësh si dhe sulmues cilësorë”, tha 63 vjeçari i cili i mbylli dyert edhe idesë së transferimit të mundshëm të Devid Bekam në radhët e skuadrës së tij, pasi mesfushori anglez çuditi të gjithë sot duke u shfaqur stërvitje me “topçinjtë”.
“Ai më telefonoi dhe iu përgjigja pozitivisht kërkesës së tij për t’u stërvitur me ne që të rrinte në formë. Është e kotë të hapen spekulime për firmosjen e tij”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 January 2013 17:21