Zdenek Zeman po rrezikon seriozisht vendin e punës te Roma. Konfirmimi ka ardhur nga Valter Sabatini, drejtori sportiv i skuadrës italiane, që me sa duket ka filluar të shohë rreth e rrotull për alternativa pas barazimit me Bolonjën që ka larguar skuadrën nga pretendimet për zonën e Ligës së Kampioneve.
“Puna e Zeman është e kënaqshme në disa aspekte, por është e qartë që ka gjëra më pak pozitive. Ka ardhur koha të pyesim veten dhe mes vlerësimeve që po bëjmë, ka edhe alternativën e ndërrimit të drejtimit teknik”, tha Sabatini.
“Zeman është trajneri që ka zgjedhur Roma në mënyrë thuajse euforike, e zgjodhëm duke menduar se do të bënte që në mendjen e djemve të mbizotëronte ideja për të bërë futboll të bukur. E kemi lënë të punojë dhe ai me shumë kurajë ka kuptuar potencialin e shumë lojtarëve, duke marrë si shembull Lamela. Por nuk është vetëm ai, ka zbuluar apo konfirmuar edhe të tjerë dhe mendoj se kjo pjesë e punës është vlerësuar nga të gjithë”.
“Por mbërrijmë edhe te situata e përditshme, e mungesës së kënaqësisë ndaj asaj që arrin të prodhojë skuadra. Tani do të bëjmë një analizë për të parë se ku kemi gabuar në mënyrën e punës, kërkesës ndaj lojtarëve, apo ndoshta edhe përbërjes së organikës. Jemi në një fazë studimi që përfshin edhe idenë e ndryshimit të trajnerit, ndonëse duhet thënë se jemi të kënaqur me shumë gjëra që ka bërë ai këtu”, u shpreh Sabatini, duke lëshuar kambanat e alarmit për trajnerin çek, sidomos përsa i përket mënyrës së sjelljes së tij me disa prej futbollistëve, ku duket qartë se këta të fundit nuk pëlqejnë edhe aq shumë mënyrën se si i trajton trajneri.
“Duhen normalizuar raportet, pasi duhet një skuadër e bashkuar. Disa mënyra sjellje janë normale për Zeman, por nuk përjetohen si të tillë nga disa lojtarë”, përfundoi Sabatini. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 January 2013 18:08