Fundi i ndeshjes së mbyllur në barazim 1-1 mes Juventusit dhe Xhenoas është shoqëruar nga polemika për shkak të gjykimit, pasi juventinët pretendojnë se gjyqtari Guida ka qenë tendencioz kundër tyre. Menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare, ka qenë i pari trajneri Antonio Konte që ka vrapuar në mesin e fushës për të kontestuar gjyqtarin, ndërsa më pas duke u larguar nga terreni i lojës, falë edhe “ndihmës” së mbrojtësit Bonuçi, ka thyer një tabelë publicitare në nerva e sipër.
“E pranoj të më thuhet “gabova” por nuk e pranoj të më thuhet “nuk ma mbajti”. Boll më me sjelljen e mirë, ky nuk është futboll”, ishin fjalët e tij në përfundim të takimit.
“Nëse dëgjoj gjëra të caktuara, “turp” është minimumi që mund të them. Dua barazi, penalltia ishte. Nuk ka asgjë për t’u shpjeguar apo qartësuar, të gjithë e kanë parë se çfarë ndodhi. Edhe një i verbër do kishte parë se ajo penallti duhej dhënë”, tha ai duke iu referuar episodit në minutat shtesë të ndeshjes ku Grankvist preku topin me dorë në zonën e Xhenoas.
“Në ngjarje të tilla, duhet të dorëzosh licencën e gjyqtarit. Nuk mund ta toleroj atë që ndodhi pasi edhe gjyqtari i vijës së portës tha se ishte penallti. Një drejtues i Parmës, pak kohë më parë ka thënë se të gjithë kanë të drejtë të ankohen përveç Juventusit. Tani ja ku i keni gabimet dhe mund t’i shihni të gjithë. Nuk dua të dëgjoj më mediat të flasin për gabime pro dhe kundër Juventusit pasi këto gabime ndodhin ndaj të gjithëve siç e shihni”, ishte reagimi i inatosur i trajnerit të kampionëve të Italisë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 27 January 2013 10:09