Një dedikim i Tito Vilanova në librin vjetor “Të jesh i Barçës” që i kushtohet historisë dhe traditës së klubit, ka ndezur atmosferën para “El Clasico” të mesjavës për Kupën e Mbretit. Trajneri katalanas ka bërë të qartë se për të, të drejtonte Real Madrid do të ishte po aq e keqe sa të promovonte dopingun apo të manipulonte një ndeshje.
“Të drejtoja Real Madrid është një nga tre gjërat që nuk do të bëja kurrë në futboll. Dy të tjerat janë të manipuloj rezultatin e një ndeshje dhe të promovoj përdorimin e dopingut”, mësohet të ketë qenë mesazhi i Vilanova ndaj tifozëve në këtë publikim që përmban fraza nga lojtarë e trajnerë që kanë bërë historinë e skuadrës katalanase.
Mes tyre nuk mund të mungonte një përshëndetje e Pep Guardiolës që ka folur për tifozët dhe mbështetjen e tyre të zjarrtë.
“Ky klub nuk ka të bëjë vetëm me lojtarët apo presidentin. Mbi të gjitha është për njerëzit që vijnë të shohin takimet tona, pleqtë që ulen në lokale duke luajtur domino dhe duke folur për Barçën. Të më pyesësh pse e dua Barçën është njëlloj sikur të më pyesësh pse i dua prindërit e mi”, ishte mesazhi domethënës i Guardiolës në këtë libër. (LajmeShqip.com)
Sunday, 27 January 2013 10:05