Turi i katër i Kupës FA ka dhuruar disa rezultate surprizë, ku skuadrat e vogla kanë arritur të kalojnë ekipe të Premier Ligës.
Rezultati që bie në sy është fitorja e skuadrës së kategorisë së pestë angleze, Luton, në fushën e Noruiç që luan në Premier League. Skuadra që klasifikohet si amatore, jo vetëm që i ka rezistuar ekipit vendas, por edhe ka krijuar disa raste të rrezikshme, ndërsa ka goditur atëherë kur nuk pritej, në minutën e 80-të me Rendell, që ka shënuar golin e vetëm të sfidës dhe i ka siguruar kualifikimin mes 16 më të mirëve skuadrës së tij.
Një tjetër skuadër e vogël, MK Dons, ka shtangur QPR duke mundur këtë të fundit në takimin e luajtur në Londër me rezultatin 4-2. Edhe pse Herri Redknap kishte aktivizuar shumë lojtarë të formacionit të dytë në këtë ndeshje, humbja në këtë fazë të Kupës FA, ndaj një kundërshtari të tillë, cilësohet si dështim për ekipin që filloi sezonin me bujë por aktualisht luan për të mos rënë nga kategoria.
Kanë kaluar turin me vështirësi si Mançester Siti, ashtu edhe Arsenali. Skuadra e Mançinit ka fituar 1-0 në fushën e Stouk përballë një ekipi që i ka bërë rezistencë deri në minutën e 85-të të sfidës, kur Zabaleta shënoi golin e vetëm të ndeshjes. Edhe Arsenali ka zgjidhur ndeshjen me Brajton në minutat e fundit, pasi nuk ka arritur të ruajë avantazhin që i dha dy herë radhazi Zhirud me golat e tij. Është dashur një gjuajtje e devijuar e Uollkot që të zgjidhte takimin kur mbeteshin vetëm 5 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt. (LajmeShqip.com)
Kupa FA
Turi i katërt / Rezultatet
Stouk-Mançester Siti 0-1
85’ Zabaleta
Noruiç-Luton 0-1
80’ Rendell
Maklesfild-Uigan 0-1
7’ (p) Gomez
Derbi Kaunti-Bllekbërn 0-3
44’ Kazim-Riçards, 66’ Dan, 72’ Rouds
Hall Siti-Barnsli 0-1
70’ Dagnall
Midëllsbrou-Aldershot 2-1
83’, 90’ Jutkivicz / 89’ Hylton
Riding-Shefild Junajtid 4-0
6’, 50’ Hant, 40’ Laigertud, 54’ MekKliri
Hadërsfild-Leicester 1-1
74’ (p) Novak / 82’ Ud
QPR-MK Dons 2-4
83’ Bothroid, 90’ Fabio / 4’ (ag) Traiore, 40’ Lou, 50’ Harli, 56’ Poter
Bolton-Everton 1-2
27’ Sordell / 18’ Pienar, 90’ Heitinga
Brajton-Arsenal 2-3
34’ Barns, 62’ Uloa / 17’, 57’ Zhirud, 85’ Uollkot
Saturday, 26 January 2013 18:44