Çështja e ultimatumit të Iker Kasijas e Serxho Ramos ndaj Florentino Perez për largimin e tyre apo Zhoze Murinjos në fund të këtij sezoni, është kthyer në një telenovelë të mirëfilltë.
Pas publikimit të djeshëm të lajmit nga gazeta “Marca”, përgënjeshtrimit nëpërmjet një konferencë për shtyp të Perez e deklaratës së dy lojtarëve, sot gazeta sportive spanjolle ka publikuar mesazhet nga informuesit brenda klubit të Realit që kanë informuar për atë që ka ndodhur në mbledhje.
“Për respekt ndaj lexuesve tanë dhe për shkak të shfaqjes publike të presidentit të Real Madrid që ka sulmuar besueshmërinë e kësaj gazete, “Marca” publikon vetëm dy ekstrakte nga komunikimi që mbështet lajmin e publikuar një ditë më parë”, shkruhet në gazetën spanjolle, në shkrimin me titull “Marca nuk gënjen”.
“Për shkak të së drejtës së sekretit profesional, nuk do të zbulohen burimet e informacionit dhe as mënyra se si janë marrë të dhënat. Por përballë akuzave të presidentit të Real Madrid se kjo gazetë kërkon të destabilizojë klubin dhe insistimi i tij se takimi më kapitenët ka qenë vetëm për premiot e lojtarëve, do t’ju tregojmë se një burim konfirmoi nëpërmjet SMS të kundërtën e fjalëve të Perez. ‘U fol për gjithçka. Dhomat e zhveshjeve, trajneri, premiot e të tjera’, shkruhet në këtë mesazh. Ashtu si publikoi kjo gazetë një ditë më parë, kapitenët i bënë të qartë presidentit se shumë lojtarë të rëndësishëm të skuadrës do të kërkojnë të largohen në verë nëse Murinjo do të vazhdojë në Madrid. Këtë e provon fraza në vazhdim që është pjesë e një bashkëbisedimi dhe ku është hequr emri i një futbollisti.: ‘Nuk është vetëm … të them që ka shumë të tjerë’’.
Me publikimin e këtyre mesazheve nga “Marca”, hapen skenarë të rinj në këtë çështje që ka bërë bujë dhe që po tregon nga dita në ditë se sa shumë është tensionuar situata në radhët e Real Madrid që pas fillimit të dobët të këtij sezoni. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 January 2013 15:06