Klubi francez i Rëne ka konfirmuar se ka shitur mesfushorin e kombëtares franceze, Jan M’Vila te ekipi rus i Rubin Kazan.
22 vjeçari pritej prej kohësh të ndryshonte skuadër, ndërsa ishin skuadrat angleze të Totenhem dhe QPR që e ndiqnin me vëmendje prej kohësh. Por lajmërimi zyrtar i klubit francez ka lënë të gjithë të shtangur, pasi askush nuk e mendonte se një nga talentet më premtues të futbollit francez të përfundonte në kampionatin rus.
“Rëne, Rubin Kazan dhe Jan M’Vila kanë arritur një akord për transferimin përfundimtar të futbollistit të kombëtares franceze. Pas përfundimit të vizitave mjekësore, lojtari i Rëne do t’i bashkohet përfundimisht ekipit rus”, shkruhet në lajmërimin e shfaqur në faqen e internetit të klubit francez.
Edhe zëvendëspresidenti i ekipit rus, Kamil Ishakov, pranoi se lojtari ishte shumë pranë firmës me skuadrën e tij, ndërsa mbeteshin për t’u diskutuar vetëm detaje të vogla të marrëveshjes.
“M’Vila tërheq shumë klube evropiane. Në Angli, klube si QPR, Arsenal e Fullhem kanë bërë oferta konkrete, ashtu siç bëmë ne. Por negociatat janë në favorin tonë, ndërsa detajet përfundimtare do të caktohen nga vizita mjekësore që ai do të kryejë në një klinikë në Romë. Gjithçka firmoset vetëm pas kësaj vizite”, theksoi ai për mediat ruse. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 January 2013 11:34