Suonsi është vënë në lëvizje dhe ka arritur të sigurojë investimin e saj më të mirë në klub dhe njëkohësisht asetin më të rëndësishëm, sulmuesin Miçu, duke i zgjatur një vit më shumë kontratën ekzistuese, për të përmirësuar edhe kushtet financiare të saj.
Sipas marrëveshjes, lojtari spanjoll që ka qenë zbulimi i sezonit që në muajt e tij të parë në kampionatin anglez, ka firmosur me klubin uellsian deri në verën e vitit 2016. Ky është një lajm mjaft i mirë për skuadrës që sot luan gjysmëfinalen e Kupës së Ligës kundër Çelsit dhe ka një shans të mirë për të shkuar në finalen e “Uemblit”.
Miçu shënoi golin e tij të 16-të sezonal në fitoren 2-0 të ndeshjes së parë, një arritje e jashtëzakonshme për skuadrën, duke parë se ka shpenzuar vetëm 2.2 milion paund për ta blerë 26 vjeçarin nga Rajo Vajekano gjatë verës.
Në kontratën e mëparshme të Miçu, ai fitonte një rrogë bazë prej 25 mijë paund në javë, të cilës i shtoheshin bonuset për gola të shënuar apo ndeshje të luajtura. Tani, rroga e tij është përmirësuar në 30 mijë paund në javë, që është edhe tavani i rrogave që ka vendosur Suonsi, ndërsa janë përmirësuar ndjeshëm bonuset për paraqitjet e tij.
“Ishte një vendim që e mora lehtësisht, pasi po përjetoj një ëndërr te Suonsi. Po i gëzohem futbollit që luaj më shumë se kurrë. Mendoj se klubi është i lumtur me mua duke më ofruar këtë kontratë dhe unë jam i lumtur me klubin”, tha vetë futbollisti spanjoll që ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha angleze pas paraqitjeve fantastike që po bën në këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 23 January 2013 15:29