Radamel Falkao tashmë duket se është mërzitur nga thashethemet e vazhdueshme që dalin rreth tij dhe spekulimet për transferimin nga një skuadër, në një skuadër tjetër. Në një intervistë të dhënë për rrjetin televiziv “Antena 3”, ai ka hedhur poshtë të gjithë këto zëra, sidomos për atë të takimit të tij për darkë me menaxherin Horge Mendes dhe presidentin e Real Madrid, Florentino Perez.
“Gjithçka është një gënjeshtër. Kohët e fundit po dalin shumë lloje të ndryshme thashethemesh për mua. Është false e gjithë kjo çështja sikur kam qenë për darkë me Florentino Perez. Po ashtu, nuk është e vërtetë se në mbrëmjen gala të “Topit të Artë” kam udhëtuar me Kristiano Ronaldon”, tha ai, duke sqaruar dy nga thashethemet që kanë qarkulluar me shpejtësi në faqet e internetit gjatë dy ditëve të fundit.
Falkao ka bërë të ditur se fakti që ka shprehur admirimin për Anglinë, nuk do të thotë se medoemos do të transferohet aty në të ardhmen, pasi thjesht i pëlqen ideja që të flasë sa më shumë gjuhë të huaja. “Di pak nga gjuha portugeze, ndërsa anglishtja është shumë e rëndësishme për jetën dhe do të dëshiroja ta flisja më shumë. Pas kësaj gjuhe do të dëshiroja të flisja edhe frëngjisht dhe italisht”, deklaroi lojtari, duke mos folur për një transferim të mundshëm të tijin. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 22 January 2013 15:07