Aitor Karanka, ndihmësi i Zhoze Murinjos te Real Madrid, mendon se tashmë ekipit i mungon vetëm pak qëndrueshmëri për të arritur të shprehet në nivele të njëjta me sezonin e kaluar. Reali dha një shfaqje të jashtëzakonshme përballë Valencias, duke fituar 5-0 në fushën e kësaj të fundit falë golit të Higuain dhe dygolëshave të Di Maria e Kristiano Ronaldo.
“Murinjo e ka shpjeguar disa herë gjatë këtij sezoni se po mundohemi të përmirësohemi. Çdo gjë që po bëjmë, e bëjmë me qëllimin e vetëm që të përmirësohemi dhe duket se jemi në rrugën e duhur”, tha Karanka që u shfaq në dhomën e shtypit në vend të trajnerit portugez.
“Në Valencia treguam se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Tani ndeshja e Kupës do të jetë krejtësisht e ndryshme, pasi tifozët do të mbështetin më shumë skuadrën e tyre. Misioni ynë është që t’i afrohemi sa më shumë asaj që bëmë në sezonin kaluar për të fituar kampionatin”, tha Karanka.
Ai në fund sqaroi se të gjithë ishin të lumtur që Di Maria ishte kthyer në formën e tij më të mirë, pasi problemet e argjentinasit kanë qenë më shumë psikologjike sesa fizike.
“Ajo që kaloi Di Maria nuk mund të ishte fizike, por psikologjike. Ne prisnim që ai të kthehej i zakonshmi dhe në këtë ndeshje të gjithë pamë Di Marian që njohim dhe që duam të shohim gjithmonë në fushë”. (LajmeShqip.com)
Monday, 21 January 2013 15:33