Mikael Balak është i bindur se arsyeja pse Pep Guardiola nuk ka zgjedhur Çelsin është se nuk ka besim te drejtuesit e klubit londinez. Trajneri spanjoll do të drejtojë Bajern Mynih duke filluar nga sezoni i ardhshëm dhe një gjë e tillë ka çuditur jo pak, duke parë insistimin me të cilin ai ndiqej nga shumë skuadra angleze.
“Nëse dëshiron të punosh si trajner për një periudhë të gjatë, të nevojitet qëndrueshmëri, besim ndaj klubit dhe gjithashtu ambientit që e rrethon atë”, tha Balak, i cili ka luajtur si për Çelsin, ashtu edhe për Bajern Mynih gjatë karrierës së tij.
“Ndoshta kjo është arsyeja pse ai nuk firmosi me Çelsin. Por kjo që ka marrë përsipër është një sfidë e madhe për një trajner. Është një kontratë fantastike për Bajern Mynih, por edhe për vetë Guardiolën”.
“Askush në Gjermani nuk priste që ai të firmoste. Por kjo tregon se Bundesliga ka pësuar rritje në vitet e fundit dhe vendimi i tij duket se nuk është marrë vetëm për para, pasi ai është një trajner që ka një filozofi të qartë. Ai ka nevojë për një atmosferë të mirë dhe do ta gjejë atë në Mynih. Kjo atmosferë është një arsye mëse e vlefshme që e ka bindur të firmosë”, ishte deklarata e Balak. (LajmeShqip.com)
Monday, 21 January 2013 14:36