David Vija duket se nuk do të presë fundin e këtij sezoni për t’u larguar nga Barcelona. Gazeta katalanase “Sport” ka publikuar sot lajmin se futbollisti u ka bërë të qartë në fundjavë drejtuesve të klubit se dëshiron të largohet që në janar nga radhët e katalanasve, ku nuk ka më hapësira për të.
31 vjeçari është kthyer nga dëmtimi i gjatë, por dy probleme muskulore të njëpasnjëshme kanë bërë që ai të humbë përsëri mundësin për t’u aktivizuar në ndeshjet e Kupës dhe për të treguar formën e tij. Duke parë se në kampionat thuajse nuk merret në konsideratë, ai u ka kërkuar drejtuesve që ta lënë të largohet, duke parë se ka oferta të rëndësishme në adresë të tij, ku spikat ajo e Arsenalit.
Vetë trajneri Vilanova, iu bashkua një javë më parë presidentit të katalanasve, Sandro Rosell, duke deklaruar se futbollisti vazhdonte të ishte pjesë e planeve të këtij klubi dhe do të rifitonte vendin e tij në formacion me kalimin e ndeshjeve.
“David nuk do të largohet, ne jemi të kënaqur me të. Kemi thënë gjithmonë se duke u kthyer nga një dëmtim i gjatë, ai do të luajë gradualisht më shumë minuta. Por fatkeqësisht vazhdon të shfaqë herë pas here probleme fizike. Ne e dimë se sa i rëndësishëm është ai, e kuptuam në vitin e kaluar kur ia ndjemë shumë mungesën në pjesën e dytë të sezonit”, ishin fjalët e Vilanovës një javë më parë.
Por ky besim i trajnerit nuk bind më golashënuesin më të mirë të kombëtares spanjolle, i cili është gati të provojë një aventurë të re jashtë Spanjës. (LajmeShqip.com)
Monday, 21 January 2013 14:32