Eshli Kol duket se ka vendosur të qëndrojë te Çelsi, ndonëse kjo skuadër i ka propozuar atij vetëm një rinovim njëvjeçar. Gjithçka ka marrë shkas nga vetë dëshira e pronarit të londinezëve, Roman Abramoviç, i cili ka autorizuar drejtuesit e klubit t’i ofrojnë lojtarit një kontratë njëvjeçare me vlerë 8 milion paund dhe me mundësinë e zgjatjes së saj nëse mbrojtësi 32 vjeçar përsërit të njëjtën formë që po shfaq aktualisht.
Kol do të firmosë kontratën e re brenda kësaj jave, ndërsa lajmi për qëndrimin e tij, ndonëse ka marrë oferta nga Real Madrid dhe PSZH, do të kënaqë tifozët të cilët janë të acaruar me klubin pasi kanë mësuar se londinezët nuk i kanë ofruar rinovimin Frenk Lampard.
Kol ka qenë një nga lojtarët më të suksesshëm të Çelsit që nga viti 2006 kur iu bashkua kësaj skuadre nga radhët e Arsenalit, pasi ka fituar çdo trofe të mundshëm me këtë klub. Lojtari që ka luajtur 99 ndeshje me kombëtaren e Anglisë, ndiqej me interes nga të gjitha klubet e mëdha evropiane por qëndrimi i tij te londinezët bën të qartë jo vetëm se ai vazhdon t’i qëndrojë besnik klubit, por edhe se mund të vendosë të mbyllë karrierën aty, pasi ka deklaruar shpesh se nuk dëshiron të luajë pas moshës 35 vjeçare. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 January 2013 12:13