Sulmuesi uruguaian i Liverpulit, Luis Suarez, është një nga personazhet që tërheq më shumë polemika në kampionatin anglez të futbollit, edhe pse faktin se ai akuzohet si simulues. 25 vjeçari që në këtë sezon ka shënuar 15 gola në 21 ndeshje të kampionatit, ka pranuar se e ka bërë një gjë të tillë, me qëllimin e vetëm që skuadra të fitonte ndeshjen.
Ai ka pranuar se ka simuluar në takimin kundër Stouk, në tetorin e vitit të kaluar, ndeshje pas të cilës trajneri kundërshtar, Toni Pulis, kërkoi që lojtari të pezullohej.
“Nuk i dëgjoj të gjitha gjërat që njerëzit thonë rreth meje duke më akuzuar për mashtrime. Njerëzit thonë se unë gjithmonë rrëzohem vetë në zonë. Ata e thanë një gjë të tillë kur luajtëm kundër Stouk dhe në atë rast kishin të drejtë. E krijova një faull pasi ne po barazonim dhe unë dëshiroja që të fitonim. Shpesh kur jam në fushë, unë pyes vetën se si e bëra një gjë të tillë. Por emri Suarez vazhdon të shesë gazeta”, ishte komenti i sulmuesit të Liverpulit për “ESPN”.
Në fillim të janarit, në ndeshjen e Kupës FA kundër Mansfild, Liverpuli fitoi 2-1 vetëm falë një goli të shënuar nga Suarez pas një prekje të topit me dorë. Ndonëse prekja e tij dukej pa dashje, shumëkush mendon se ai e bëri me qëllim një gjë të tillë, ndërsa puthi dorën pasi dërgoi topin në rrjetë, edhe pse kjo është mënyra në të cilën ai feston gjithmonë golat e tij.
“E preka topin me dorë aksidentalisht. Por më pas u kritikova se putha dorën. Unë i them mediave që të flasin më shumë për futbollin dhe të mos merren me gjërat e tjera”, tha Suarez. (LajmeShqip.com)
Thursday, 17 January 2013 13:48