Sulmuesi i Valencias, Roberto Soldado, ka fajësuar publikisht Real Madrid për ato që ai cilëson si “vendime të gabuara” të gjyqtarëve në ndeshjen mes dy skuadrave për Kupën e Mbretit. Futbollisti i kombëtares spanjolle ishte ai që vuajti më shumë gjykimin, pasi u ndal shpesh në pozicion jashtë loje që pamjet filmike tregonin se nuk kishin qenë të tilla, ndërsa takimi i luajtur në “Santiago Bernabeu” përfundoi me suksesin 2-0 të Realit.
Soldado mendon se komentet e bëra nga kampionët në fuqi të Spanjës para ndeshjes ishin vendimtare për të përcaktuar një lloj gjykimi tendencioz dhe beson se skuadra e Murinjos ka një ndikim negativ në futbollin spanjoll.
“Është shumë e vështirë kur vjen në “Santiago Bernabeu” dhe sheh gjithë ato gabime nga gjyqtari dhe vijërojtësit. Ne kemi qëndruar të qetë në Valencia. Kurse ata të Realit ankohen për gjykimin dhe ja cili është rezultati. Gjyqtarët mund të gabojnë, por jo kaq shumë sa në këtë ndeshje. Kjo të bën të mendosh se ata nuk e durojnë dot trysninë e qëndrimit kundër Real Madrid”.
“Nëse kjo mënyrë e të folurit gjatë javës i ka shërbyer atyre, atëherë ka institucione që duhet të kontrollojnë deklaratat. Deklaratat që kanë dalë ditët e fundit nga Real Madrid nuk janë në të mirë të sportit”, ishte ankesa e Soldados.
Ndërkohë, presidenti i Valencias, Manuel Lorente, ka shkuar edhe më larg me deklaratën e tij pas ndeshjes.
“Siç ndodh gjithmonë këtu, kur janë gjyqtarët të tillë, ndeshjen e vendosin gjyqtarët. Jam i indinjuar, ashtu si të gjithë tifozët tanë. Por jam krenar me ekipin, pasi kemi bërë një ndeshje të madhe. Ekipi po rritet, por nuk mund të luftojmë kundër elementeve të natyrës”, ishte ironia e tij kundër gjyqtarëve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 January 2013 15:06