Presidenti i Olimpik Marsejës, Vinsent Labrun, ka zbuluar se klubi i tij ka pranuar ofertën ekonomike të bërë nga Njukasëll për transferimin e sulmuesit Loik Remi dhe se tashmë ky i fundit do të udhëtonte drejt Anglisë për të diskuar detajet e kontratës së re për një transferim të mundshëm në radhët e skuadrës angleze.
26 vjeçari ka qenë prej kohësh një objekt i merkatos së Njukasëll, që ka vendosur të investojë rreth 9 milion paund për blerjen e tij, pasi siguroi një pjesë të parave nga transferimi i Demba Ba te Çelsi.
“Ne kemi një marrëveshje parimore me Njukasëll, të gjitha zërat janë të vërteta”, tha Labrun për “RMC”. “Ndaj i kemi dhënë leje Loik të zhvillojë bisedime me Njukasëll, ndërsa duhet të kemi durim dhe të presim për të parë se si do të shkojnë gjërat”.
Pak ditë më parë, edhe drejtori sportiv i ekipit francez, Zhoze Anigo, kishte deklaruar se sulmuesi i Francës mund të transferohej në Angli, ndonëse ky i fundit sapo kishte refuzuar një ofertë të mundshme nga QPR. Vetë Njukasëll ka preferuar të mos komentojë negociatat me lojtarin i cili pritet që gjatë këtyre ditëve që viziton Anglinë, të kryejë edhe vizitat mjekësore. (LajmeShqip.com)
Monday, 14 January 2013 09:47