Juventus ka bërë një tjetër hap të gabuar në Parma duke barazuar 1-1 përballë vendasve dhe duke i dhënë mundësinë të gjithë ndjekësve të afrohen më shumë në luftën për kreun. Për të evituar polemika të kota, trajneri Antonio Konte është shfaqur menjëherë para gazetarëve duke deklaruar se ishte ai përgjegjësi i vetëm për këtë barazim të papritur.
“Goli i Sansone erdhi në momentin tonë më të mirë dhe krejtësisht për fajin tim. Ia kërkova unë veprimin Vuçiniç dhe ai nuk preku topin, duke ia lënë kundërshtarit. Ndaj lojtari i dështuar në këtë rast jam unë dhe jo futbollistët e mi. E meritoj të kritikohem”, ishte autokritika publike e trajnerit të bardhezinjve pas sfidës.
“Kemi lënë dy pikë por kemi bërë një paraqitje të mirë. Mua më pëlqeu ajo që dha skuadra në një stadium ku nuk ka fituar askush. Pa atë gabim, tani do të ishim duke folur për Juventusin që theu më në fund Parmën në fushën e vet dhe që ruan diferencën me ndjekësit. Por gjithashtu duhet t’i japim meritat edhe kundërshtarëve që jo vetëm na barazuan, por edhe na vunë në vështirësi në minutat e fundit”, u shpreh Konte i cili shtoi se kampionati kishte qenë gjithmonë i hapur dhe se rivalë për titull ishin shumë skuadra, duke filluar nga Lacio, për të përfunduar te Milani.
Ndërkohë, ai konfirmoi se edhe merkatoja e lojtarëve nuk ofronte zgjidhje të rëndësishme për momentin, edhe për shkak të krizës ekonomike. “Do të bëhet ndonjë lëvizje nëse ekziston mundësia, por kemi pak para dhe duhet të shohim ndonjë situatë me kosto të ulët”, pranoi ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 14 January 2013 09:43