Rafael Benitez ka filluar të mërzitet me spekulimet e vazhdueshme rreth Frenk Lampard dhe të ardhmes së tij, duke deklaruar para gazetarëve se largimi apo jo i mesfushorit nuk përbënte një problem për skuadrën e tij.
34 vjeçari vazhdoi serinë e golave në këtë sezon, pasi shënoi me penallti në fitoren 4-0 ndaj Stouk, për të nxitur më shumë kërkesat e tifozëve ndaj klubit, pasi kërkohet që mesfushori anglez të mos largohet në fund të sezonit.
“Nuk është e drejtë që të flitet gjithmonë vetëm për një lojtar. Frenk po paraqitet mirë por skuadra po bën një punë të shkëlqyer. Nëse keni analizuar punën tonë duhet të kishit parë se David Luiz dhe Ivanoviç kanë bërë një punë të shkëlqyer”.
“Azpilikueta luajti mirë, Çeh u kthye përsëri, Hazard, Mata dhe Demba Ba bënë detyrën e tyre. Unë isha shumë i kënaqur me sjelljen e Torres pasi ai po lufton për vendin e tij, ndaj sot ka shumë gjëra pozitive, nuk është vetëm një lojtar”.
“Ramires bëri një punë të shkëlqyer ndonëse po luan në shumë ndeshje radhazi pa pushim. Bertrand luajti në një pozicion tjetër, Eshli Kol luajti shumë mirë. Nuk është e drejtë të flitet për një lojtar pas një paraqitje kaq të mirë nga skuadra. Kam folur 100 herë deri tani për këtë çështje. Frenk është nën kontratë, është një lojtar i mirë, duhet të vazhdojë të paraqitet kështu dhe nuk përbën një problem për ne”, ishte shpërthimi i Benitez para gazetarëve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 13 January 2013 11:15