Arsen Venger ka treguar se mendon që Cesk Fabregas do të kthehet përsëri një ditë te Arsenali. Francezi pranoi se largimi i spanjollit drejt Barcelonës e kishte bindur që të gjurmonte më shumë talentet anglezë sesa ato nga pjesa tjetër e Evropës.
Ndonëse nuk arriti të ndalte transferimin e lojtarit drejt skuadrës katalanase në vitin 2011, Venger është plotësisht i bindur se 25 vjeçari ka Arsenalin në zemër dhe për këtë arsye do të kthehet përsëri te ky ekip ku u bë i famshëm.
“Nuk jam i bindur se Fabregas nuk do të kthehet përsëri një ditë këtu. Ai është një njeri i Arsenalit, e dashuron Arsenalin. Ai ndjek çdo ndeshje të Arsenalit. Barcelona ishte qyteti i tij i lindjes, aty ku u rrit dhe një fakt të tillë duhet ta pranosh, sidomos për faktin se aktualisht ata janë skuadra më e mirë në botë”.
“Ai nuk do të kthehet në 2-3 vitet e ardhshme, por ndoshta pas tyre. Largimi i tij ishte pika e kthesës për mua. Tani është e rëndësishme që ne të kemi qëndrueshmëri. Nëse ndjek një politikë si e jona, me lojtarët e rinj, atëherë është e rëndësishme që të arrish t’i mbash në klub pas moshës 23 vjeçare. Nëse ata janë tifozë të skuadrës, është gjithmonë më e lehtë t’i mbash këtu”, tha ai duke iu referuar faktit se tashmë po gjurmon më shumë lojtarët anglezë.
Fakti që Xhek Uilshair, Aleks Oksleid-Çambërlein, Kiran Gibs, Aron Ramsi dhe Karl Xhenkinson, 5 talente britanikë, firmosën rinovime afatgjata tre javë më parë, shtyn Venger të besojë se po ndërton një bazë të shëndoshë.
“Nëse qëndron edhe Uollkot, do të ishte një mesazh për tifozët tanë që rruga që po zgjedhim nuk është e largimeve, por qëndrueshmëria. Nuk kemi mbërritur ende aty ku jemi, por shumë shpejt do të shkurtohet diferenca mes nesh dhe skuadrave të kreut. Të gjithë lojtarët që rinovuan janë shumë të mirë dhe ne kemi nevojë për një bërthamë që përfaqëson vlerat e klubit, siç ishte te Çelsi me Lampard e Terri. Edhe ne kishim një periudhë të tillë, duke mbajtur për 8-9 vite lojtarë si Henri e Viera”, tha Venger duke kujtuar se kjo ishte mënyra se si u krijua skuadra e pathyeshme e 10 viteve më parë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 13 January 2013 10:53