Çelsi po bëhet gati të planifikojë blerjen e bujshme të radhës, duke synuar të marrë Luka Modriç. Stafi drejtues duket se ka bindur Roman Abramoviç të bëjë një ofertë prej 22 milion paund për të kthyer kroatin në Angli, pas dështimit në sezonin e tij të parë te Real Madrid.
Një bindje e tillë u përforcua pasi londinezët humbën mundësinë për të firmosur me mesfushorin brazilian Taison, pasi 24 vjeçari injoroi ekipin anglez për t’u transferuar te Shakhtar Donetsk.
Modriç nuk po kalon një eksperiencë të lumtur në Spanjë dhe Zhoze Murinjo e ka kthyer atë në një lojtar stoli, duke parë paraqitjet aspak bindëse të kroatit. Portugezi duket se është i vetmi që ka besim se Modriç mund të përshtatet me kampionatin spanjoll, por nëse trajneri largohet në fund të sezonit, edhe kroati mund të ndjekë të njëjtin shembull.
Çelsi tentoi edhe dy vite më parë të blinte futbollistin nga radhët e Totenhem, por rivalët londinezë refuzuan ofertën e tyre prej 40 milion paund. Tani Abramoviç do të tentojë të sigurojë shërbimet e tij për pak më shumë se gjysmën e këtyre parave, pasi stafi teknik i klubit mendon se ai do të ishte perfekt për të zëvendësuar Frenk Lampard, që do të largohet në fund të këtij sezoni. (LajmeShqip.com)
Saturday, 12 January 2013 09:48