Henk Ten Kate ka qenë një nga personat që i ka besuar më shumë te Lionel Mesit që në vitet e tij të para. Ish-asistenti i Frenk Rajkard ka treguar se si kanë qenë pikërisht fillimet e argjentinasit te Barcelona, kur u vendos që ai t’i bashkohej skuadrës së parë dhe ka zbuluar se Mesi qëndronte gjatë gjithë kohës me lojtarët brazilianë, duke mësuar prej tyre.
“Ronaldinjo ishte një shembull i mirë për Mesin, për atë që duhej të bënte dhe çfarë nuk duhej të bënte. Por ai dhe Deko e pritën menjëherë mirë mes tyre që kur ishte 17 vjeç. Megjithatë, duhet ta dini që personi me të cilin kalonte më shumë kohë ishte Silvinjo, një lojtar që nuk bënte jetë nate si të tjerët dhe që ishte besimtar”, ka treguar Ten Kate, duke zbuluar ndikimet e argjentinasit në fillimet e tij.
“Të dy e kishin zakon të luanin tenis me këmbë në palestër, të zbathur. Që veterani i skuadrës dhe lojtari më i ri të qëndronin bashkë, do të thoshte shumë sipas këndvështrimit tim”.
Më pas, ai ka kujtuar ditën kur i dhanë mundësinë e debutimit lojtarit argjentinas, që deri në ato momente ishte i panjohur.
“Në miqësoren me Porton ishte debutimi i tij, por as unë, as Frenk nuk e njihnim. Mesi ishte 16 vjeçar dhe luante te të rinjtë B. Çiki Begirishtajn na kishte folur shumë mirë për të dhe ne ramë dakord që ta aktivizonim në 10 minutat e fundit. Që në prekjen e parë të topit, i iku dy kundërshtarëve me të majtën e tij. Unë dhe Frenk pamë njëri-tjetrin, por kishim mbetur pa fjalë. Të nesërmen i telefonuam Xhovani Van Bronkhorst dhe i thashë se kisha parë yllin e ardhshëm të Barcelonës”, tregoi Ten Kate. (LajmeShqip.com)
Saturday, 12 January 2013 09:45