Kapiteni i Njukasëll, Fabricio Koloçini, i ka bërë të qartë klubit se dëshiron të largohet dhe të kthehet në Argjentinë që në muajin janar. 30 vjeçari nuk ka qenë në formë të mirë gjatë kohëve të fundit dhe përfaqësuesit e tij kanë udhëtuar drejt Anglisë për t’i bërë të qartë drejtuesve të Njukasëll se cili është vendimi që ka marrë futbollisti.
Largimi i Koloçinit, iu cili është aktualisht lojtari më i paguar i kësaj skuadre me rreth 3 milion paund në vit, do të ishte një goditje tjetër e rëndë për Njukasëll, që pak ditë më parë humbi një nga sulmuesit kryesorë, Demba Ba, i cili u transferua te Çelsi.
Sipas “The Independent”, klubi ka vendosur që të mbajë për momentin qendërmbrojtësin, duke i bërë të qartë se po kërkojnë me shpejtësi një zëvendësues cilësor për të.
Kërkesa e Koloçinit për t’u transferuar në Argjentinë erdhi pas kërkesës së babait të tij “për çështje familjare”. Por në fakt, flitet për një interesim të klubit të San Lorenco, ku babai i tij punon dhe ku vetë lojtari ka luajtur në sezonin 2000-2001.
Zërat për transferimin e lojtarëve të ndryshëm ka bërë që trajneri Alan Pardju të shqetësohet realisht me mënyrën se si po shkojnë gjërat në klub. Ndaj për të evituar ndonjë situatë të pakëndshme, ai ka paralajmëruar blerjen më të re të Njukasëllit, Matië Debushi, që të ketë kujdes në ndeshjen e debutimit në fundjavë.
“Atij do t’i duhet të mësohet me shpejtësinë e kampionatit anglez. Nëse luan si mbrojtës i djathtë në Francë, mund t’i pasosh topin qendërmbrojtësit dhe njëkohësisht të lexosh një libër. Në Angli, gjërat janë krejtësisht ndryshe”, tha Pardju. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 January 2013 17:07