Zhoze Murinjo dhe ndihmësi i tij, Aitor Karanka, tashmë janë zhdukur nga sallat e konferencave për mediat, pasi prej një jave nuk janë paraqitur para shtypit, duke nxjerrë aty lojtarët. Sot e kishte radhën sulmuesi Gonzalo Higuain, i cili ashtu si shumë shokë të tjerë të skuadrës, ka treguar se trajneri portugez ka mbështetjen e plotë të ekipit.
“I gjithë ekipi është i bashkuar, jemi të gjithë përkrah trajnerit. Murinjo është trajneri ynë dhe duhet respektuar. Ai është personi që do të na japë udhëzimet për të na ndihmuar që të sigurojmë një titull. Ai vazhdon të jetë trajneri i Real Madrid, ka një kontratë dhe mendoj se do të vazhdojë të qëndrojë këtu”.
“Kampionati i kaluar ishte shumë i mirë, me lojë të bukur dhe shumë gola. Ka rënë pak niveli ynë dhe gjithçka duket alarmante. Por futbolli është i tillë dhe ndryshon vazhdimisht. Ne na mbeten edhe 5 muaj konkurrencë, muaj që do të jenë shumë të vështirë, me një rival të komplikuar në Ligën e Kampioneve. Por do të mundohemi të mbyllim sezonin me një titull. Ky është Real Madrid dhe për ngjyrat e kësaj skuadre, duhet të luftosh gjithmonë”, tha argjentinasi i cili më pas la të kuptohej se të gjithë futbollistët tashmë kishin gjetur objektivin sezonal, duke parë se kampionati është thuajse në duart e Barcelonës.
“As nuk na shkon ndër mend që mund të mos e fitojmë Ligën e Kampioneve. Ky është një turne mjaft i mirë dhe kemi mundësi reale për ta fituar në këtë edicion”, tha Higuain. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 January 2013 15:04