Humbja në gjysmëfinalet e Kupës së Ligës përballë Suonsi ka tensionuar përsëri situatën te Çelsi, me tifozët e skuadrës që kanë kërkuar në kor largimin e trajnerit Rafael Benitez dhe sidomos sulmuesit Fernando Torres.
Që nga Momenti kur Suonsi kaloi në avantazh në pjesën e parë, tifozët filluan koret kundër Benitez, duke i kërkuar të largohej, ndërsa thirreshin emrat e Zhoze Murinjo dhe Roberto Di Mateo, bashkë me atë të Frenk Lampard.
Më pas, seria e gabimeve në pasime të Fernando Torres solli irritimin e stadiumit me sulmuesin spanjoll dhe tifozët kërkuan që në vend të tij të aktivizohej blerja e re e klubit, Demba Ba.
I vetmi moment kur Benitez u duartrokit nga tifozët ishte pikërisht kur futi në fushë sulmuesin 27 vjeçar, duke larguar Torres, i cili duket se tashmë ka humbur përfundimisht besimin e tifozëve londinezë.
Për më tepër, Ba u tregua shumë më i rrezikshëm në 9 minutat që luajti sesa Torres në 81 minutat e mëparshme, duke bërë që tifozët të shtonin talljet ndaj Benitez, për ta cilësuar një trajner të paaftë.
Në një situatë të tillë, mediat angleze raportojnë se edhe presidenti Roman Abramoviç tashmë është shqetësuar për situatën e rrezikshme që është krijuar me tifozët, pasi rrezikon që në ndeshjet e ardhshme të shohë stadiumin gjysmë të boshatisur dhe të ardhurat e klubit të reduktuara ndjeshëm. (LajmeShqip.com)
Thursday, 10 January 2013 11:56