Ish-kampionët e Skocisë të Rejnxhërs Gllasgou, kanë kërcënuar se do të kërkojnë transferimin në një kampionat tjetër larg këtij vendi, nëse miratohet plani për ristrukturimin e kampionatit vendas.
Rejnxhërs janë tani në kategorinë e katërt skoceze, ku përfunduan pas falimentimit për shkak të borxheve të mëdha ekonomike. Por propozimi i ri parashikon që Skocia të ketë një sistem me tre kategori futbolli, ndërsa autoritetet drejtuese të futbollit skocez hodhën poshtë propozimin që Rejnxhërs të ngjitnin shkallët më shpejt se ekipet e tjera.
“Në cilin kampionat ti fiton kategorinë dhe në sezonin e ardhshëm përfundon duke luajtur përsëri me të njëjtat skuadra? Realisht që ky vendim nuk ka asnjë kuptim për ne”, ishin fjalët e shefit ekzekutiv të Rejnxhërs, Çarls Grin.
“Nuk kam lexuar asgjë më shumë sesa detajet që ka zbuluar shtypi. Nëse gjërat janë ashtu siç përshkruhen në shtyp, këshilla ime ndaj bordit drejtues të Rejnxhërs do të jetë që sa më parë të largohemi nga Skocia, aq më mirë do të jetë”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Thursday, 10 January 2013 09:04