Masimo Morati pret që Uesli Shnajder të pranojë ofertën e Gallatasarajit, për t’u transferuar që në ditët e ardhshme te klubi turk. Numri 1 i zikaltërve e ka bërë të qartë dëshirën për largimin e holandezit, duke deklaruar se klubit të tij i pëlqente oferta që kishte bërë ekipi turk për futbollistin në fjalë.
“Ka mbërritur një ofertë e Gallatasarajit për Shnajder dhe ajo është e pranueshme. Tani gjithçka varet nga vetë Uesli. Nuk kam folur ende me të, por duhet të them se nëse qëndron me në sipas kushteve tona, do të ishte një ndihmë shumë e madhe”.
“Në këto muaj, ka folur shumë pak drejtpërdrejt me Shnajder, ndaj do të shohim çfarë do të ndodhë në vazhdim”, tha ai, duke lënë të kuptohet se me shumë mundësi do të kërkojë një takim personal me futbollistin holandez. “A do të vijë një yll tjetër në vend të Shnajder? Vetëm të dëgjoj diçka të tillë frikësohem… Më mirë të shohim se çfarë ka në qarkullim”, ishin fjalët e Moratit.
Ndërkohë, në Turqi janë të bindur se Shnajder do të transferohet te Gallatasaraj, pasi gazetat vendase i kanë dedikuar një hapësirë të ndjeshme lajmeve rreth tij. Edhe vetë gruaja e futbollistit, Jolante, me sa duket ka dhënë miratimin e saj, duke shkruar në Twitter frazën “Stambolli është një qytet i bukur”.
Por ajo nuk është edhe shumë e mirëpritur në Turqi, pasi një grup tifozësh kanë kujtuar se ka qenë protagoniste e një filmi me metrazh të shkurtër të vitit 2006, “Turkse Chick”, në të cilën luan një pjesë mjaft provokuese. (LajmeShqip.com)
Thursday, 10 January 2013 09:03