Arsenali do t’i bëjë këtë javë Teo Uollkot një ofertë të përmirësuar prej rreth 26 milion paund, në mënyrë që t’i japin fund të gjitha thashethemeve rreth të ardhmes së tij.
Futbollisti i përfaqësueses angleze pritet të përfitojë rreth 88 mijë paund në javë nga kjo marrëveshje e re pesëvjeçare, ashtu si edhe një bonus prej 3 milion paund për rinovimin me klubin aktual.
Që në fillimin e janarit, burime pranë klubit bënë të ditur se drejtuesit ishin të sigurt se do të siguronin firmën me futbollistin. E ardhmja e tij ishte mbuluar nga një hije dyshimi pasi ai refuzoi ofertën fillestare prej 75 mijë paund në javë nga klubi i Londrës veriore.
Situata u përkeqësua aq shumë sa palët as nuk komunikonin me njëra-tjetrën. Por trajneri Venger ka shprehur gjithmonë besimin te lojtari, të cilit i ka dhënë një rol kryesor në lojën e ekipit duke e aktivizuar në sulm, me rezultate të shkëlqyera, pasi ai ka arritur të shënojë 14 gola.
Pikërisht insistimi i Venger bëri që situata të përmbysej dhe tani lojtari është gati të refuzojë çdo ofertë tjetër që ka ardhur në adresë të tij, për të rinovuar me klubin ku u bë i famshëm. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 January 2013 14:50