Gallatasaraj ka pranuar se është shumë i predispozuar për të blerë holandezin Uesli Shnajder, aq sa presidenti i ekipit turk, Unal Ajal, ka bërë të qartë se ka gjetur që tani një akord me Interin për transferimin e mesfushorit.
“Të hënën kam qenë për drekë me Moratin. Kemi filluar negociatat e një marrëveshje për Shnajder. Nga ana e presidentëve ekziston një lloj vullneti i mirëfilltë për realizimin e kësaj marrëveshje, por në futboll janë shumë detaje. Dëshira e familjes është një faktor shuam i rëndësishëm”, tha ai rreth mundësisë që holandezi të bashkohet me skuadrën e famshme turke.
“Kam autorizuar disa nga drejtuesit e klubit që të ulen të negociojnë dhe mendoj se gjithçka do të jetë më e qartë në ditët në vijim. Duhet parë edhe nëse do të ketë një ulje të kërkesave nga palët. Nuk kemi ndërmend të bëjmë çmenduri”, tha ai.
Në fakt, ana ekonomike është një nga pengesat kryesore për realizimin e një marrëveshje, pasi Interi nuk dëshiron të heqë dorë nga lojtari pa përfituar të paktën 15 milion euro. Më pas është edhe vetë rroga problematike e lojtarit, i cili përfiton 6 milion euro në vit, në kontratën ekzistuese që zgjat deri në vitin 2015.
E fundit është dëshira e vetë Shnajder, i cili sipas menaxherit Soren Lerbi, do të largohet nga Milano vetëm nëse ka një ofertë nga një klub i elitës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 January 2013 19:23