Huan Manuel Markez mund të bëhet gati për ndeshjen e pestë ndaj rivalit të tij të vjetër, Mani Pakuiao, pasi menaxherët e këtij të fundit konfirmuan se filipinasi dëshiron të kthehet në ring në muajin shtator.
Markez hodhi në tokë Pakuiaon në raundin e 6-të të sfidës së tyre në dhjetor, në atë që ishte dueli i katërt mes të dyve, por i pari i fituar nga meksikani. Në të gjitha ndeshjet e mëparshme, fitorja i kishte shkuar me pikë Pakuiaos, mes polemikave pasi Markez pretendonte se kishte merituar edhe në këtë aspekt dy prej tyre.
“Mendoj se mund ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Fred Deternburg, zëdhënësi i kompanisë “Top Rank” të Bob Arum, promotorit të ndeshjes së fundit. “Bob e ka përsëritur një gjë të tillë vazhdimisht. Ndeshja ishte shumë e mirë financiarisht pra nuk ka arsye për të mos u organizuar. Pakuiao ka lënë të kuptohet që dëshiron të dyluftojë përsëri. Bob ka thënë se shtatori është data më e mundshme”, shpjegoi ai.
Edhe përfaqësuesi i Markez nuk e hedh poshtë mundësinë e zhvillimit të kësaj ndeshje, pasi tregoi se meksikani është gati për një përballje tjetër.
“Logjikisht, ne do të kërkojmë atë ndeshje që është më fitimprurëse për të, në mënyrë që të jetë një sfidë e rëndësishme. Huan Manuel Markez dhe unë jemi zotërinj dhe e dimë që Pakuiao na dha një shans kur nuk kishte arsye pse ta bënte një gjë të tillë, ndërsa edhe ne me shumë mundësi do t’i japim atij një shans”, tha përfaqësuesi i meksikanit.
Prej shumë kohësh është përfolur për një sfidë të mundshme mes Pakuiao dhe Floid Meiuedher, në atë që mund të cilësohej ndeshja më e pasur e historisë së boksit, por dy humbjet e fundit të filipinasit ndaj Markez e Timoti Bredli, kanë bërë që të zbehet disi interesi për një takim të tillë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 January 2013 15:03