Mançester Junajtid interesohet për Frenk Lampard dhe duket se ylli i Çelsit është gati të bashkohet me “djajtë e kuq”. Ky është lajmi i publikuar sot nga gazeta angleze “The Sun”, e cila ka detajuar lëvizjen e bujshme të merkatos.
Klubi ka vendosur të largojë Lampard, duke i bërë të qartë se nuk ka më të ardhme në radhët e londinezëve. Ndërsa Aleks Ferguson është i bindur se mesfushori 34 vjeçar ka ende shumë për të dhënë në nivele të larta.
Ai është një admirues i vjetër i futbollistit dhe u mundua të nënshkruante me të që para se ai të bashkohej me Çelsin, 12 vite më parë.
Duket disi e pamundur që marrëveshja të mbyllet në këtë muaj, pasi kësisoj Mançester Junajtid do të duhej të paguante për transferimin e tij, ndërsa edhe vetë Lampard dëshiron të mbyllë sezonin me klubin aktual. Por Ferguson është gati t’i ofrojë atij një kontratë njëvjeçare në verë, me mundësinë e rinovimit të saj për një tjetër vit nëse gjithçka shkon mirë.
Kontaktet e para mes palëve kanë filluar që në javën e kaluar, ndërsa mendohet se deri tani, Lampard ka marrë ofertë edhe nga një tjetër klub anglez si dhe dy skuadra të njohura evropiane, ndonëse nuk bëhen të ditura emrat e tyre. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 January 2013 14:02