Mançester Junajtid duket se ka lëshuar sinjale të qarta se dëshiron të jetë një konkurrent i fortë për të blerë Uilfrid Zaha nga Kristal Palas, ndonëse Totenhemi ka kohë që ka filluar bisedimet me këtë klub dhe mendohej se kishte një avantazh në garën për të siguruar shërbimet e tij.
Kristal Palas e vlerëson talentin rreth 20 milion paund, por bisedimet mes këtij klubi dhe londinezëve kanë filluar me shifrën e 7 milion paund, pasi Totenhem po mundohet të përfshijë në marrëveshje edhe huazimin e disa lojtarëve, si dhe bonuse në bazë të paraqitjes së Zaha. Për më tepër, Vijas Boas është gati ta lërë atë huazim deri në fund të sezonit të skuadra e tij aktuale, në mënyrë që Kristal Palas të vazhdojë të luftojë për ngjitjen një kategori më lart.
Por Mançester Junajtid tani ka vendosur të kontaktojë drejtpërdrejt me shefin e klubit, Stiv Perish dhe Aleks Ferguson është shprehur i gatshëm që të flasë sa më parë personalisht me Zaha, në mënyrë që ta bindë atë të zgjedhë ekipin e tij, nëse arrihet akordi mes klubeve.
Ai do t’i bëjë të qartë djaloshit se ka mundësinë të luajë dhe të përmirësohet te Mançester Junajtid, ku ka nevojë për mesfushorë krahu, pasi Jang nuk është në formën më të mirë, Nani mund të largohet, ndërsa Gigs mund të vendosë të tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur. Ferguson do të preferonte të kishte në dispozicion lojtarin që në janar, por është i gatshëm ta lërë atë te klubi i tij deri në fund të sezonit, nëse nuk ka alternativë tjetër. (LajmeShqip.com)
Monday, 07 January 2013 15:19