Karlos Tevez ka zbuluar se është përpjekur disa herë të ndihmojë shokun e tij të repartit të sulmit, Mario Balotelin, i cili është kthyer në një personazh problematik për Mançester Sitin. Edhe argjentinasi ka pasur përplasje me trajnerin Mançini, por duket se italiani i ri ia ka kaluar shumë shpejt, pasi përballja e tij me teknikun e skuadrës angleze ishte edhe fizike, siç ndodhi në stërvitjen e javës së kaluar.
“Incidente të tilla kanë ndodhur edhe në klube të tjera ku kam qenë unë”, tha lojtari që më parë ka veshur edhe fanellën e Mançester Junajtid. “Por këtu te Siti, reflektorët janë vendosur gjithmonë drejt nesh, sidomos mbi Marion dhe Roberton. Ndaj gjithmonë këto gjëra dalin në plan të parë, edhe pse ato ndodhin në çdo vend tjetër. Por Mario ka bërë përparime, ai ka punuar dhe po mundohet të përmirësohet”.
“Unë personalisht po mundohem të ndihmoj Marion. I flas atij si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj. I fola para një goditje dënimi dhe e lejova ta gjuante ai, në mënyrë që të fitonte më shumë besim, në mënyrë që edhe gjërat të ecin sa më mbarë për të”, tha sulmuesi argjentinas.
“Unë kam qenë vetë në një situatë të tillë, ndaj jam gjithmonë i gatshëm ta ndihmoj në mënyrë që të mos përsëritë gabimet që kam bërë unë më parë”, deklaroi Tevez i cili në sezonin e kaluar i shpalli luftë trajnerit Mançini dhe vetë klubit duke u “arratisur” për 6 muaj në Argjentinë. (LajmeShqip.com)
Monday, 07 January 2013 09:04