Çelsi ka bërë të ditur se po bën lëvizjet e para për t’i ofruar Frenk Lampard rinovimin e kontratës së tij me klubin ku ai ka kaluar 12 vite të shkëlqyera të karrierës së tij. Vendimi është marrë duke parë se tifozët kanë protestuar për faktin që klubi as që ka provuar të ulet në bisedime me një nga lojtarët më të respektuar në historinë e londinezëve, të cilit i përfundon kontrata në mbyllje të këtij sezoni.
Pas golit të radhës së mesfushorit në ndeshjen e Kupës FA kundër Sauthmepton dhe një tjetër proteste të tifozëve, burime pranë klubit konfirmuan për “Daily Mail” se kanë filluar bisedimet për zgjatjen e kontratës së 34 vjeçarit. Këto burime bënë të qartë se çdo diskutim i mundshëm nuk kishte lidhje me shkurtimin e rrogës prej 150 mijë paund në javë që përfiton lojtari.
“Subjekti mbi shkurtimin e rrogës nuk është diskutuar në asnjë prej bisedave që janë zhvilluar deri tani mes klubit, lojtarit dhe menaxherit të tij”, konfirmoi ky burim, duke bërë të qartë se tashmë kjo temë është në një fazë të avancuar.
Këtë fakt e ka pranuar edhe trajneri Rafael Benitez, i cili gjithsesi ka sqaruar se nuk do të përfshihet në këto bisedime pasi është vetëm një trajner i përkohshëm dhe nuk ka të drejtë të vendosë për strategjitë afatgjata që zgjedh ky klub.
“Frenk është një profesionist i mirë dhe ai ka një kontratë deri në fundin e sezonit. E di që janë zhvilluar disa bisedime, por unë nuk kam qenë i pranishëm”, tregoi trajneri spanjoll.
Me golin e shënuar ndaj Sauthempton, Lampard arriti shifrën 25 në Kupën FA, duke barazuar rekordin e Çelsit të vendosur nga Bobi Tambling. Ky ishte goli i 193-të i mesfushorit me londinezët, duke e vendosur në vendin e dytë të klasifikimit të të gjitha kohëve, përkrah Kerri Dikson, ndërsa i mungojnë vetëm 9 gola për të arritur rekordin e 202 golave që mbahet nga Tambling. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 January 2013 11:30