Zhoze Murinjo ka treguar se admiron jetëgjatësinë e Arsen Venger në stolin e Arsenalit, ku francezi qëndron prej 17 vitesh radhazi, pa rrezikuar thuajse asnjëherë vendin e punës ndonëse ka që në vitin 2005 që nuk siguron asnjë trofe për të skuadër.
“Do të dëshiroja shumë të kisha një jetëgjatësi të tillë në një klub”, tha Murinjo për “The Sun”, duke komentuar kontrastin e thellë ku ai është shpallur kampion me Real Madrid në sezonin e kaluar duke thyer disa rekorde për klubin, por që tani është vënë në diskutim qëndrimi i tij në drejtimin e skuadrës.
“Por duke parë mentalitetin tim, unë gjithashtu kam nevojë për trysninë e suksesit. Nëse askush nuk e vendos këtë trysni mbi mua, atëherë jam unë që i imponoj vetes një trysni të tillë, trysninë për të fituar trofe. Po, është e mundur që të durosh një apo dy sezone duke ndërtuar për të ardhmen dhe të mos jesh në nivelin që kërkohet për të fituar trofe. Por nuk do të mund të qëndroja më gjatë, pasi mentaliteti im është i tillë”.
“Ndoshta fitoret do të vijnë shpejt edhe për Arsenalin. Ata luajnë futboll të mirë dhe prodhojnë lojtarë të mirë. Ata janë aktivë në çdo seancë të merkatos duke blerë lojtarë ndaj herët e vonë duhet të fitojnë diçka”.
Por sipas tij, titulli në kampionatin anglez është thuajse i pamundur pasi ai në këtë sezon është një duel ekskluziv mes dy skuadrave të Mançesterit.
“Junajtid është në vendin e parë dhe kur gjenden aty, nuk është e lehtë t’i largosh nga ai pozicion. Por Siti ka një ekip të pabesueshëm dhe janë kampionë, duke luftuar për të qëndruar të tillë. Totenhem ka një skuadër fantastike me disa nga lojtarët më të mirë në kampionatin anglez. Nuk mendoj se do të dalin kampionë në këtë sezon, ndoshta në atë pasardhës. Ndërsa Çelsi humbi shanset për titull me disfatën ndaj QPR, por mund të luftojë për një vend mes katër të parëve. Sipas meje, katër ekipet e para do të jenë Junajtid, Siti, Totenhem dhe Çelsi”, tha Murinjo.
“Ka skuadra të tjera që luftojnë për një pozicion mes katër më të mirëve. Janë Arsenal, Liverpul, Everton dhe Njukasëll. Ndaj do të ketë shumë konkurrencë për vendin e tretë dhe të katërt. Por kampionati do të vendoset mes dy skuadrave të Mançesterit. Për këtë jam i sigurt”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 January 2013 11:02