Një tjetër episod me sfond racist është shfaqur në futbollin italian, këtë radhë në skenën më të rëndësishme të tij, Serinë A. Ngjarja ka ndodhur gjatë takimit mes Lacios dhe Kaljarit në stadiumin “Olimpiko” të Romës, ku ultrasit e ekipit vendas, të njohur edhe për mesazhet e herëpashershme politike me prirje fashiste, kanë lëshuar kore raciste kundër lojtarit kolumbian të Kaljarit, Ibarbo gjatë pjesës së parë të takimit.
Pankina e kaljaritanëve ka komunikuar menjëherë me gjyqtarin Orsato, i cili ka marrë mënjanë kapitenët e të dy skuadrave, Mauri e Konti, duke u shpjeguar se çfarë parashikonte rregullorja për ngjarje të këtij lloji.
Thirrjet e tifozëve kanë qenë të dallueshme edhe për ata që kanë ndjekur ndeshjen nga televizori, siç konfirmon mesazhi i shfaqur në Twitter pak çaste më vonë nga sulmuesi kilian Pinija, i cili po ndiqte takimin nga shtëpia e tij. “Kore raciste kundër Ibarbo në “Olimpiko”…. nuk mësoni asnjë gjë…!!! turp”, ishte mesazhi i futbollistit.
Por duhet theksuar se pjesa tjetër e stadiumit ka reaguar menjëherë duke mos rënë dakord me ulërimat e tifozëve ultras të Lacios. Tifozët janë ngritur në këmbë dhe kanë mbuluar me vërshëllima këto ulërima të ultrasve, si për të treguar se nuk ndajnë të njëjtin mendim me ekstremistët.
Për të sqaruar situatën, në fund të pjesës së parë të takimit ka pasur edhe një mbledhje mes delegatit të ndeshjes dhe drejtuesve të dy skuadrave, për t’i paraprirë ngjarjeve të tjera të këtij lloji, por fatmirësisht, takimi ka vijuar pa incidente të tjera. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 January 2013 09:53