Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, ka shprehur bindjen e tij se Kevin Princ Boateng dhe Robinjo do të vazhdojnë të jenë pjesë e kuqezinjve, të paktën deri në fundin e sezonit aktual.
Boateng deklaroi se po mendonte largimin nga Italia pas thirrjeve raciste në adresë të tij në miqësoren kundër Pro Patria, por trajneri mendon se këto fjalë ishin thënë në nxehtësi e sipër nga mesfushori ganez.
“Nuk e pashë aq shuam të mërzitur në stërvitjen e fundit. Ndoshta ai thjesht po shfrynte dufin, por gjithçka duket se është qetësuar tani. Askujt nuk i pëlqen të largohet nga Milani dhe unë nuk e shoh atë duke marrë një vendim të tillë”, tha Alegri për 25 vjeçarin.
Ndryshe është situata për Robinjon, i cili dëshironte të kthehej në Brazil, te Santos, por marrëveshja e mundshme mes dy klubeve nuk është realizuar.
“Negociatat për shitjen e Robinjos u ndërprenë një natë më parë, ndaj ai do të vazhdojë të jetë një lojtar i Milanit. Edhe Abate është një lojtar i Milanit dhe është i lumtur këtu. As që e marr në konsideratë idenë që ta lë të largohet”, tha ai duke iu referuar interesimit të Zenit për mbrojtësin e kombëtares italiane të futbollit.
Në fund ka ardhur edhe komenti i radhës mbi Drogba, i cili sipas Alegrit nuk mund të vijë të kuqezinjtë pasi nuk përputhet me strategjinë e re që po ndjek klubi. “Politika jonë e transferimeve është të përqendrohemi te të rinjtë, ndaj Drogba nuk do të vijë te ne. Ai nuk përshtatet me vizionin që ka për të ardhmen presidenti Berluskoni. Baloteli? Ai është një lojtar i Mançester Sitit. Atij thjesht i duhet të përqendrohet në lojën e tij, në të kundërt rrezikon të hedhë tutje një karrierë të shkëlqyer”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 January 2013 09:51