Trajneri i Suonsit, Majkëll Laudrup, ka konfirmuar se sulmuesi Miçu nuk do të largohet nga kjo skuadër gjatë merkatos së janarit. Spanjolli ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të njohura falë formës që ka treguar me fanellën e klubit uellsian, duke shënuar 13 gola në 22 ndeshje që nga momenti kur u transferua në Britaninë e Madhe në verë, kur Suonsi e bleu për 2 milion paund nga Rajo Vajekano.
Klubet ruse të Anzhi Makhashkala dhe Zenit Shën Petersburg janë të gatshme t’i ofrojnë menjëherë uellsianëve të paktën 10 milion paund për të marrë 26 vjeçarin, por Laudrup ka bërë të qartë se nuk do të heqë dorë në këtë sezon nga një lojtar i tillë.
“Nuk ka asnjë mënyrë në të cilën ai të largohet. Kjo çështje nuk është në diskutim. Një nga arsyet është se do të jetë shumë e vështirë të gjejmë një zëvendësues të përshtatshëm në këtë moment. Arsyeja tjetër është se ai është i lumtur këtu dhe nuk dëshiron vetë që të largohet”.
Trajneri danez ka vlerësuar edhe dëshirën e vetë lojtarit për të luajtur në çdo ndeshje, duke injoruar lodhjen për aktivizimin e tepërt në këtë pjesë të parë të sezonit.
“Ai dëshiron gjithmonë të luajë. Miçu është golashënuesi ynë më i mirë dhe është e rëndësishme për lojtarët e tjerë kur është në fushë përkrah tyre. Por është e rëndësishme edhe për kundërshtarët tanë, të cilët nuk hidhen në ofensivë kur ai është në fushë, pasi janë të ndërgjegjshëm se me një lojtar të tillë, janë gjithmonë në rrezik për të pësuar gola”, shpjegoi Laudrup. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 January 2013 09:49